Hidhet poshtë padia për shpifje e VV-së kundër kandidatit të PDK-së

Gjykata Themelore e Prizrenit ka konstatuar si të tërhequr padinë e Lëvizjes Vetëvendosje për shpifje ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj.

Këtë përfundim shkalla e parë e gjyqësorit e ka nxjerrë për shkak se padia në fjalë nuk është plotësuar prej paditësit brenda afatit të caktuar nga Gjykata Themelore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përderisa Totaj ka shprehur qëndrimin se padia e LVV-së ka qenë e paqëndrueshme në mungesë të argumenteve, nga ana tjetër kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pohuar se afati për plotësimin e padisë ka qenë i shkurtër dhe se ka skaduar për shkak të njoftimit të vonuar.

LVV-ja e pati paditur Totajn për shpifje e fyerje të personalitetit përkatësisht përkatësisë kombëtare të Haskukës, gjatë fushatës parazgjedhore të vitit të kaluar.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Afërdita Kicaj, ka pohuar se padia e LVV-së ndaj Shaqir Totajt, kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, ka qenë për kompensimin e dëmit moral për shpifje dhe fyerje.

Leave a Reply