AGK kundërshton mbylljen e Komisionit parlamentar ku po shqyrtohej projektligji për RTK-në

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kundërshton mbylljen e komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ku po shqyrtohej projektligji dhe skema e financimit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) pa dhënë ndonjë arsyetim në lidhje me shkaqet e mbylljes së kësaj mbledhjeje.

“Të vetëdijshëm se rregullorja e punës së Kuvendit, përkatësisht neni 65 i dispozitave plotësuese të Komisioneve të Kuvendit, parasheh mbylljen e komisioneve në raste të caktuara, mirëpo diskutimi i sotëm me dyer të mbyllura për projektligjin e RTK-së, konsiderojmë se nuk ka pasur kurrfarë arsye të zhvillohet pa prezencën e medieve dhe publikut, duke e ditur kështu rëndësinë e veçantë të cilin e ka përmbajtja e këtij projektligji për qytetarët e vendit”, thotë AGK.

AGK konsideron se një praktikë e tillë nuk i shërben transparencës së punës së Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht përbën cenim të së drejtës qytetare për t’u informuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, përkatësisht kryetarit të këtij Komisioni, Nait Hasani, të tregojnë shembull të mirë të llogaridhënies dhe transparencës në mënyrë që mbledhjet e tilla, si kjo e sotmja për projektligjin e RTK-së, të jenë të qasshme për mediet dhe publikun.

Leave a Reply