Sipas Odalloviqit, në Gjakovë kishte burgje e kampe nga janë zhdukur pa gjurmë serbë

Ekspertë e antropologë ndërkombëtarë të forenzikës po punojnë për identifikimin e mbetjeve mortore të gjetura gjatë tri javëve të fundit në periferi të Gjakovës dhe pritet që shumë shpejt të dihet identiteti i atyre njerëzve. Kështu i deklaroi gazetës së Beogradit “Politika”, kryetari i Komisionit të Serbisë për personat e zhdukur, Velko Odalloviq, transmeton Koha.net.

Siç citohet Odalloviq, tash për tash janë gjetur së paku eshtrat e pesë personave, porse numri i tyre mund të jetë më i madh, ndërsa dyshohet me bazë se bëhet fjalë për persona nga lista e serbëve të Kosovës të zhdukur.

Sipas Odalloviqit në këtë lokalitet qysh në qershor të vitit 1999 pjesëtarët e KFOR-it italian kishin gjetur disa skelete dhe ato i kishin varrosur në varrezat e Gjakovës, ndërsa tani gërmimet kanë nisur para tri javësh me urdhër të EULEX-it, në prani të të anëtarëve të grupeve të punës nga Prishtina dhe nga Beogradi.

Kur antropologët të mbarojnë punë do të shohim sa trupa saktësisht ka në atë varrezë masive, ka thënë Odalloviq, i cili thekson se në atë zonë rreth Gjakovësa më herët ishin gjetur skelete trupash të banorëve të Rahovecit, të cilët në ikje para, siç është shprehur ai, terrotit të UÇK-së ishin nisur drejt Malit të Zi.

Po sipas Odalloviqit, i cili gjatë sundimit të regjimit të Millosheviqit kishte ushtruar funksione të larta në Kosovë, në Gjakovë ka pasur disa burgje ilegale, nga të cilët një ka qenë në objektin e auto-shkollës “Start”, një tjetër në fabrikën e duhanit “Virxhinia, ndërsa hoteli “Pashtrik” në qendër të qytetit ishte kthyer në burg, përkatësisht në kamp.

Aty janë mbajtur, sipas tij, serbë dhe persona të tjerë të nacionaliteteve joshqiptare, janë marrë në pyetje dhe se në shumë raste nuk dihet për fatin e tyre. Vetëm nga ky rajon, në evidencat e Serbisë, edhe 33 persona figurojnë në listën e të zhdukurve.

Ai po ashtu ka thënë se për këto krime askush nuk është përgjigjur.

Odalloviq ka shprehur bindjen se Prokurori special për krime të UÇK-së, siç e ka quajtur ai këtë institucion, do të marrë parasysh këto zbulime të reja, por edhe ato fakte të mëhershme që i kemi në dispozicion.

Në Gjakovë dhe rajonin rreth saj forcat serbe, militare e paramilitare, gjatë vitit 1998 e 1999 kanë kryer masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare dhe në listën e të pagjeturve ende figurojnë qindra persona, ndër ta fëmijë, gra e pleq, rikujton Koha.net.

Leave a Reply