Kryeministrja serbe “garanton se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht i BE-së”

Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë, ka deklaruar në Sofje se kompromisi për Kosovën është i nevojshëm për shkak të stabilitetit në rajon dhe ka shtuar njohja e pavarësisë së Kosovës kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian, transmeton Koha.net.

Ajo në kryeqytetin bullgar, ku po merr pjesë në “Forumin ekonomik të Vjenës”, ka thënë se vënia kusht e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila ka qenë krahinë autonome e Serbisë, është e pamundur, pasi që, sipas saj, “pesë vende të Unionit nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës”.

“Ky kurrë nuk ka qenë kusht dhe ju garantoj se kurrë nuk do të jetë kusht, por kërkohet normalizimi i marrëdhënieve”, citon tanjug të ketë thënë e para e Qeverisë serbe.

Bërnabiq ka theksuar se nuk mund të pritet nga Serbia “që thjesht ta njohë pavarësinë e Kosovës” dhe ka shtuar se është i nevojshëm kompromis në të cilin “të gjithë do të humbin dhe të gjithë do të fitojnë”.

Leave a Reply