Mosfillimi i repelimit të kafshëve, shqetësim për Malishevën

Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Malishevës ka trajtuar si çështje me shqetësim mosfillimin e fushatës së repelimit të kafshëve, si masa më efikase në luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike Krime Kongo (EHKK).

U kërkua nga organet përkatëse që të fillojnë sa më shpejt të realizojnë repelimin, që tashmë është dashur të jetë në fazën e dytë të saj.

Drejtori komunal për Bujqësi, Murat Hoxha, e ka paraqitur këtë problem, tha “se është tepër shqetësuese që kafshët nuk janë repeluar, pasi kjo do ta ndihmojë në masë të madhe vazhdimin e ciklit tek rriqrat, të cilët janë bartës të virusit”. Sipas tij, faza e parë e repelimit është dashur të jetë e kryer dhe tani do të duhej të kishte filluar faza e dytë. Edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, repelimin e kafshëve e ka vlerësuar si masën më të efektshme në parandalimin e EHKK dhe ka kërkuar edhe njëherë që organet kompetente të veprojnë sa më shpejtë, në mënyrë që të mos përsëriten situatat e viteve të mëhershme, kur virusi vdekjeprurës zhvillohej dhe merrte jetë njerëzish. Sa i përket EHKK, pjesa që është kompetencë e komunës, është duke u realizuar, siç janë ligjëratat e vetëdijesimit, pastaj ofrimi i shërbimeve shëndetësore në rastet e thumbimeve, si dhe komuna është e përgatitur për pjesën e saj të dezinsektimit të zonave endemike.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve, drejtorët e drejtorive komunale i kanë prezantuar aktivitete e tyre në sektorët e caktuar, duke filluar nga realizimi i projekteve.

Gjatë raportimeve të drejtorëve, u tha se pastrimi i ambienteve në të gjitha vendbanimet, është një punë e madhe, por problem janë duke sjellë mbeturinat inerte, që qytetarët i hedhin pa vend.

U tha se ndërprerja e ndërtimeve pa leje është duke u menaxhuar mirë, ndërsa së shpejti pritet që edhe uzurpimet e mëhershme të regjistrohen dhe të lirohen hapësirat, si dhe ndërtimet pa leje përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, është paralajmëruar se do të largohen.

Në fushën e arsimit dhe të kulturës, krahas aktiviteteve të përditshme dhe mbajtjes së testit PISA, javën e kaluar janë mbajtur garat në lëndën e fizikës, për të dy nivelet e arsimit, ndërsa janë duke vazhduar garat shkollore në sport dhe të gjitha këto po zhvillohen sipas planifikimeve.

Mbledhja u kryesua nga kryetari Ragip Begaj.

 

Leave a Reply