Trajneri i Chelsea-it i shpëton mrekullisht një aksidenti

Një aventurë e hidhur për Antonio Conte, ka ndodhur teksa po drejtonte stërvitjen e Chelsea në Cobham, rreth 10 kilometra larg Londrës, makina e tij u shkatërrua krejtësisht nga një vetratë që u rrëzua nga çatia e një godine, si pasojë e erës së fortë.

Lajmin e ka bërë të ditur tabloidi “The Sun”. I shpëtoi tragjedisë mrekullisht edhe Steve Atkins, zëdhënësi për shtyp i Chelsea, që në atë moment po shkonte të lëvizte makinën e trajnerit që ishte e parkuar.

Ngjarja u pa nga kamerat e vendosura në kompleks. “Shihet Steve që po shkon drejt makinës së Antonio, pastaj befasisht vetrata bie me një shpejtësi të madhe duke mbushur me copa xhami të gjithë parkimin”, – tregon roja e sigurisë së klubit ‘blu’.

Steve ka ngelur i shtangur nga ngjarja që mund t’i kishte kushtuar jetën, ndërsa makina e trajnerit është shkatërruar.

Vetrata ka rënë pikërisht nga kati ku është zyra e Conte. Makina “Nissan” e trajnerit përdoret shpesh edhe nga bashkëshortja e tij./Telesport.

Leave a Reply