Në Voinovc të Shtimes organizohen gara me qenë deri në përgjakje

Megjithëse Policia e Kosovës në regjionin Ferizajt po angazhohet për parandalimin e organizimeve të luftërave me qenë, ato sërish po vazhdojnë në fshatra të ndryshme, raporton Koha Ditore.

Një organizim i tillë ka ndodhur të premten, rreth mesditës në fshatin Voinovc të komunës së Shtimes në të cilin keqtrajtohen qentë deri në përgjakje, mirëpo këtë ngjarje nëpërmjet një video disa nga banorë të këtij fshati e kanë publikuar edhe në rrjete sociale. Në këtë organizim i cili ka zgjatur afër 20 minuta, qenët janë nxitur për luftë edhe nga personat prezentë, ndërkaq në mesin e tyre janë vërejtur si pjesëmarrës edhe persona të mitur.

Policia e Ferizajt tashmë ka nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje, andaj kërkojnë nga qytetarët të bashkëpunojnë sa më shumë për parandalimin e kësaj dukurie në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e kafshëve. Sipas Policisë së Ferizajt vitit të kaluar janë arrestuar disa persona të cilët kanë bërë organizime të tilla për keqtrajtim të qenve, madje disa herë policia ka nisur edhe aksione të ndryshme për parandalimin e këtyre organizimeve. Agim Gashi, zëdhënës i Policisë në Ferizaj, ka thënë se ky organizim në fshatin Voinovc ka ndodhur rreth mesditës të së premtes, ndërkaq kanë marrë pjesë së paku 7-8 banorë të cilët janë larguar mjaftë shpejtë nga vendi i ngjarjes.

“Pas marrjes së informatës, kemi intervenuar por që organizatorët dhe banorët janë larguar mjaftë shpejtë. Sidoqoftë ne kemi nisur hetimet tona derisa për këtë organizim është përfolur edhe në rrjete sociale”, ka thënë Gashi. Ai shpjegon se organizimi i garave të tilla me kafshë është e ndaluar me ligjet e Republikës së Kosovës, andaj Policia Rajonale e Ferizajt po kërkon bashkëpunim sa më të mirë me qytetarët për parandalimin e këtyre organizimeve. “Gjatë vitit të kaluar kemi arritur t’i parandalojmë disa organizime të tilla në regjionin e Ferizajt, por ka edhe raste që organizatorët janë arrestuar dhe mandej edhe janë dënuar nga gjykata, prandaj sugjerojmë të gjithë që mos të organizojnë gara të tilla me qenë sepse është e ndaluar me ligj”, ka sqaruar Gashi.

Leave a Reply