BE-ja konfirmon hetimet rreth akuzave për korrupsion në EULEX

Bashkimi Evropian po zhvillon hetime në lidhje me akuzat për korrupsion në misionin e EULEX-it, të bëra nga gjykatësi Malcolm Simmons, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje. Ai ishte shef i gjykatësve në kuadër të Misionit të EULEX-it.

Maja Kociançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka thënë se BE-ja, si edhe misioni i EULEX-it, kanë zero tolerancë për akuzat dhe për sjellje të pahijshme të të gjithë anëtarëve të misionit.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat janë hetuar dhe raportuar në bordin disiplinor.

“Akuzat janë hetuar nga një gjyqtar i pavarur dhe disa nga të gjeturat janë pranuar në bordin disiplinor. Dua të theksoj se të gjitha procedurat e parapara në kod janë ndjekur me përpikëri”, ka thënë Kocijançiq.

“Nuk mund të flas enkas për ndonjë akuzë dhe për hetimet që po vazhdojnë”, ka thënë ajo.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë – EULEX, është akuzuar nga gjykatësi britanik, Simmons se nuk ka luftuar korrupsionin, duke e arsyetuar këtë mosveprim me ‘ruajtjen e stabilitetit” në Kosovë, si një shtet ende i brishtë.

Dorëheqja e Malcom Simmons, paraqet rastin e dytë pas të cilit hapet çështja e korrupsionit në EULEX. Paraprakisht, prokurorja nga ky mision, Maria Bamieh, i kishte akuzuar kolegët e saj për marrje ryshfeti, çka i kushtoi asaj me shkarkim.

Misioni i EULEX-it, është vendosur në Kosovë që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ky mision, u vendos nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar në zbatimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

Viteve të fundit, misioni i EULEX-it është transformuar duke marrë më shumë karakterin e një misioni këshillëdhënës, monitorues dhe mentorues për institucionet e Kosovës në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë.

Leave a Reply