Tifozët e Gjilanit kërcënojnë Federatën e Futbollit të Kosovës

Tifozët e SC Gjilanit, “Skifterat” kanë mohuar të kenë ofenduar në baza racore futbollistin e Dritës, Përparim Livoreka, në ndeshjen derbi të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës ndërmjet Dritës dhe Gjilanit që u zhvillua të enjtën.

“Skifterat” kanë thënë se fyerjet raciste që iu bënë Livorekës kanë ardhur nga individidë që nuk janë pjesë e tifo-grupit të tyre – edhe pse fyerjet ndaj sulmuesit të Dritës erdhën nga tribuna ku ishin të vendosur tifozët e Gjilanit.

“Fyerje me permbajtje raciste mund të ketë patur nga ndonjë i pranishem, por ato janë veprime individuale të cilat nuk kanë të bejnë me SKIFTERAT dhe KF Gjilanin”, thuhet në reagimin e tifozëve të Gjilanit, “Skifterat”.

“Ne si SKIFTERA jemi te fundit te cilet deshirojme ta demtojme klubin tone, dhe per ne eshte i papranueshem cfaredo ndeshkimi per fyerje raciste, sepse neve eshte e lehte te na identifikosh, dhe ne nuk marrim pergjegjesi per fjalorin e ndonje qytetari qe ze vend ne fund te tribines, dhe as nuk i mbeshtesim veprimet e tilla”, thuhet në reagim.

“Skifterat” po ashtu kanë kërcënuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) pas paralajmërimit të tyre se SC Gjilani mund të dënohet pas fyerjeve raciste të tifozëve që ishin të pranishëm në pjesën e tribunës ku qëndronin tifozët e saj.

“I lutemi Federatës, që të ecë me kembë në tokë, të na lejoj dhe mundësoj të mbështesim klubin tonë, ashtu siq e kemi për qëllim, dhe të mos na detyroj të mbushin autobusët dhe të zbarkojmë para zyreve të tyre apo edhe të radikalizojmë veprimet tona të cilat nuk do t’i kontribonin futbollit në përgjithësi e as mbarëvajtjes së Superligës në rajonin e Anamoravës”, kanë thënë “Skifterat”.

Në ndeshjen e zhvilluar të enjtën në Gjilan, tifozë të klubit të “Gjilanit” kanë fyer në baza racore futbollistin e Dritës, Përparim Livoreka, duke e quajtur atë “maxhup”, e duke e krahaurar me majmunët përmes gjesteve të bëra nga tribuna.

Insajderi ishte i pranishëm të enjtën në Gjilan dhe raportoi për këtë rast, i cili konsiderohet i dënueshëm nga aktet normative të FFK-së, pavarësisht se nga çfarë tifozë vijnë fyerjet racore. Por, ofendimet racore erdhën nga pjesa e tribunës në të cilën ishin të vendosur tifozët e Gjilanit. /Insajderi.com

Leave a Reply