Fushë-Kosovë: Mbahet Kampionati Individual i Kosovës në boks (Video)

Në Fushë-Kosovë po mbahet Kampionati Individual i Kosovës në boks, ku po marrin pjesë boksierë të të gjitha grupmoshave, raporton Click Channel.

Ky kampionat u organizua nga Federata e Boksit, Klubi i Boksit “Fushë-Kosova” dhe komuna e Fushë-Kosovës.

Pjesëmarrës të këtij kampionati janë 15 klube të boksit nga e gjithë Kosova, derisa në Fushë-Kosovë po mbahet për herë të parë.

Në hapjen e kampionatit morrën pjesë kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, kryetari i Federatës së Boksit, Ramadan Selimi, boksierët e njohur kosovarë, Mehmet e Shefki Bogujevci, simpatizantë të këtij sporti dhe zyrtarë të komunës.

Kryetari Berisha duke iu uruar sukses boksierëve, lavdëroi për punën e tyre ish-boksierët Mehmet e Shefki Bogujevci, derisa për këtë të fundit tregoi një ngjarje interesante.

“Kur ia kemi blerë Shefki Bogujevcit këtë ring ai ka qajtur sikur fëmija, ka qenë aq shumë i lidhur me këtë ring sa që ka qajtur sikur fëmija”, ka thënë Berisha.

Kryetari i Federatës së Boksit, Ramadan Selimi falënderoi klubin dhe komunën e Fushë-Kosovës për organizimin e këtij kampionati.

“Ju përshëndes të gjithë juve që jeni prezent këtu, dhe i falënderoj të gjithë sportistët pjesëmarrës. Një falënderim i veçantë për kryetarin e Fushë-Kosovës, Burim Berisha”, ka deklaruar Selimi.

Me këtë rast u ndanë edhe mirënjohje dhe kupa për kontributin e pjesëmarrësve. Një të tillë e ndau kryetari i Federatës për kryetarin e Fushë-Kosovës, derisa ky i fundit ndau nga një kupë për kreun e Federatës Ramadan Selimi, ish-boksierin Mehmet Bogujevci, kryetarin e klubit të boksit “Fushë-Kosova”, Enver Krasniqi dhe aktivistin e këtij klubi, Ramadan Jashanica./Click Channel/

 

 

 

 

Leave a Reply