Apeli ndryshon dënimin e policëve në rastin “Graçanica”

Gjykata e Apelit njofton se kolegji i kësaj Gjykate, ka marrë vendim për modifikimin e dënimeve lidhur me rastin penal që kishte të bënte me një incident që ka ndodhur më 8 janar 2013.

Rasti i njohur si Graçanica ka të bëjë me grupin prej 11 pjesëtarëve të NJOS të cilët ishin caktuar të  përcjellin 10 të paraburgosurve të përkatësisë etnike serbe prej Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë deri në Gjykatën për Kundërvajtje.

“Të paraburgosurit ishin grumbulluar në hapësirën e recepcionit të Qendrës së Paraburgimit dhe ishin dërguar në parking. Derisa ishin dërguar aty, disa të paraburgosur ishin goditur dhe shqelmuar. Të paraburgosurit më pas ishin qëlluar me shuplaka dhe ishin goditur në automjete gjatë kohës që po dërgoheshin në Gjykatën për Kundërvajtje. Për më tepër, disa të paraburgosur ishin goditur dhe shqelmuar në tualetin e Gjykatës për Kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

 Gjykata Themelore e Prishtinës i pati shpallur 6 të akuzuarit fajtorë për disa pika të akuzës për sulmin, kërcënimin dhe keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike.

Ata ishin liruar nga pjesa e mbetur e akuzave, pasi që nuk ishte dëshmuar ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’ se ata i kishin kryer këto vepra penale. Pesë të pandehurit tjerë ishin liruar nga të gjitha akuzat.

Të dënuarit në ankesën dërguar gjykatës së Apelit, patën pretenduar, mes tjerash, se vepra penale e sulmit është e përfshirë në veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike.

 Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte modifikuar dhe të pandehurit ishin liruar nga akuza për veprën penale të sulmit ndërsa dënimet e tyre ishin ulur në përputhje me këtë.

“Gjykata e Apelit u pajtua që vepra penale e keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike e përfshin veprën penale të sulmit, për shkak se të dy veprat penale në thelb e kanë të njëjtën vepër – keqtrajtimi i dikujt dhe aplikimi i forcës kundër dikujt e kanë të njëjtën natyrë”, thekson Gjykata e Apelit në një komunikatë të lëshuar sot.

Po ashtu, si dënim të pandehurve u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve të administratës publike apo shërbimeve publike. Mirëpo, Gjykata e Apelit vlerësoi se shqiptimi i këtij dënimi shtesë nuk ishte i domosdoshëm për ta arritur qëllimin e ndëshkimit penal. Prandaj, dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve të administratës publike apo shërbimeve publike ishte hequr për të 6 të pandehurit. Ankesa e PSRK-së ishte refuzuar./Insajderi/

Leave a Reply