Londër: Një i vrarë dhe një i arrestuar pas sulmit me makinë

Nga një sulm me makinë kundër këmbësorëve në hapësirën, Finsbury Park, në pjesën veriore të Londrës, afër një xhamie, është vrarë një person dhe janë plagosur disa të tjerë. Policia tha se po zhvillohen hetime për sulm të mundshëm terrorist.

“Një person është shpallur i vdekur në vendin e ngjarjes”, tha policia.

Policia tha se një mashkull 48- vjeçar, është arrestuar, pas asaj që dëshmitarët thanë se ishte sulm i qëllimshëm kundër besimtarëve myslimanë, në minutat e parë të mëngjesit të sotëm.

Policia tha se i arrestuari është dërguar në spital për vlerësim të gjendjes së tij psikike.

Shërbimi ambulator në Londër ka njoftuar se në spital janë dërguar tetë vetë, ndërsa dy janë trajtuar në vendin e ngjarjes.

Këshilli Mysliman në Britani (MCB) tha se sulmi ishte manifestimi më i dhunshëm i islamofobisë në Britani, gjatë disa muajve të fundit, dhe ka bërë thirrje për siguri të shtuar në vendet ku tubohen besimtarët.

Ky këshill, në rrjetin Twitter ka shkruar se incidenti ndodhi afër Xhamisë në Finsbury Park dhe se makina “qëllimisht” i ka qëlluar besimtarët që largoheshin nga xhamia.

Ky incident ndodhi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur besimtarët myslimanë falen gjatë natës.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka konfirmuar se ky incident po hetohet si sulm terrorist. Ajo tha se bashkëndjen dhembje me ata që janë goditur në këtë “incident të tmerrshëm”.

Kryetari i qytetit të Londrës, Sadiq Khan, tha se ekipe të shtuara të policisë janë vendosur për t’i siguruar komunitetet, e veçanërisht ato që e mbajnë Ramazanin dhe tha se ky “ishte sulm kundër të gjitha vlerave tona të përbashkëta për tolerancë, liri dhe respekt”.

Lideri opozitar britanik, Jeremy Corbyn, tha se është “totalisht i shokuar” nga incidenti.

Gjatë muajve të fundit, Britania është goditur nga një seri e sulmeve, përfshirë edhe atë me furgon dhe thikë në London Bridge, më 3 qershor.

Më 22 maj, një person me një automobil të huazuar i ka qëlluar këmbësorët në Westminster Bridge në Londër dhe e ka therrë për vdekje një polic, para se të qëllohej për vdekje nga policia. Nga ky sulm ishin vrarë pesë vetë.

Më 22 maj, nga një sulm vetëvrasës janë vrarë 22 persona në koncertin e yllit amerikan të muzikës pop, Ariana Grande, në Mançester, në pjesën vriore të Anglisë.

Këto sulme kanë pasur ndikim në fushatën para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 8 qershor. Kryeministrja Thersa May, është kritikuar se derisa ishte sekretare e brendshme në periudhën 2010 – 2016, e kishte mbikëqyrë reduktimin e pjesëtarëve të policisë për 20 mijë vetë, në Angli dhe Uels.

Leave a Reply