U krenuam me Nënë Terezën se ishte shqiptare, po myslimanët tanë a janë shqiptarë? - Click-Channel.tv

January 19, 2017

U krenuam me Nënë Terezën se ishte shqiptare, po myslimanët tanë a janë shqiptarë?

arberesh-dalipi

arberesh-dalipi

Shkruan: Arbëresh Dalipi

Ka pak kohë që e uruam aq shumë Nënë Terezën dhe u krenuam me të se ishte shqiptare. Po myslimanët tanë a janë shqiptarë?

Unë për vete nuk tërhiqem shumë nga fetë dhe festat fetare, por e bëra mend, edhe ju shqiptarë jeni. Tash, ajo fe, kjo fe – për mua e njëjta gjë – shenja e barazimit. Tash pse jeni myslimanë, mos me ju uruar, më duket keq – për mua jeni shqiptarë.

Për mua, ka tre nivele të respektit të tjetrit në këto raste:

Nëse nuk ke respekt për besimin e tij, islamin në këtë rast, respekto të drejtën e tij për të besuar në islam, dhe nëse nuk ke respekt as për këtë, respekto atë – personin – shokun tënd, familjarin tënd. T’i kthehesh e ta tallësh, ke fyer të tria, personin, të drejtën e tij për të besuar dhe besimin e tij. E palejueshme kjo me ligj, me fe, me kulturë, me edukatë.

Unë nuk jam te ato dy të parat, mund të them, pasi nuk kam praktikuar asnjëherë fenë, por kur një populli i tërë paragjykohet dhe pëson për shkak të besimit të tij, e fillon e satirizohet, pak edhe për fajin e vet, duke dhënë jo rrallë shembuj të këqij që e faktojnë këtë paragjykim, më zgjon me u dalë në mbrojtje.

Fundja, keni festë. Pra, njerëzit kanë të drejtë të besojnë dhe të festojnë, në besimin e tyre, pa u paragjykuar, përçmuar dhe injoruar.

E fillova me një shembull të freskët të Nënë Terezës për ta rikujtuar se sa krenarë (hipokritë) u treguam vetëm se ajo i përkiste besimit të krishterë, të ndikuar ne nga gjendja e politikës në botë. Figurë besimi ishte edhe ajo, si kjo festë sot, bile edhe kjo festë lidhet me bamirësi. Ngjashmëri e madhe.

Jam i bindur që të ishte madhëruar ndonjë figure islame në këtë kohë, nuk do të ishim ekzaltuar në këtë masë, nuk na kishte lënë hipokrizia, se do ndikoheshim nga politika globale (ne si njohës gjoja). Unë kam një kushëri të afërt që në një përzgjedhje të një grupi studiuesish, kohë më parë ka hyrë në mesin e 100 myslimanëve të shekullit, Mulla Idriz Gjilani. Askush thuajse nuk e përmendi këtë. Fare pak. Sepse jemi kalkulantë.

Po dua ta theksoj, siç e fillova, nëse si person publik, nuk i respekton besimet atëherë nuk shkon as te Nëna Terezë, e nëse respekton një fe, duhet të respektosh të gjitha. Nëse zgjedh të respektosh atë që është në avantazh politik, atëherë je mashtrues. Do t’ia hedhësh dikujt. Për mua nuk vlen më shumë a më pak një shqiptar se tjetri, bazuar në bindjen e tij fetare.

Por kjo na ndodh sepse jemi servilë të krejt botës, e hiporkritë, të pasinqertë që po na njeh më krejt bota. Ne mund të besojmë në çka do, në kënd do. Neve s’po na beson më askush.

About The Author

Related posts

Leave a Reply