Unë jam me Adem Grabovcin

13061943_613798738778006_2045212743986955070_n

Shkruan: Arbëresh Dalipi

Unë jam me Adem Grabovcin

Ja përse:

Është e moralshme që Adem Grabovcin ta kritikojnë vetëm ata të cilët as kanë tentuar të shfrytëzojnë lidhjet dhe partinë (cilëndo) për interesat e veta.

Ata të cilët në punësime, në biznes, në arritje profesionale, në regjistrime, në transferime, në ngritje në pozita e çfarëdo tjetër, kanë arritur pa ndihmën e partisë – cilësdo, jo vetëm PDK-së.

Ata, partia e të cilëve nuk funksionon në këtë mënyrë.

Gazetarët të cilët asnjëherë nuk kanë bërë favore dhe nuk janë shitur për asnjë parti dhe të cilët nuk kanë pranuar asnjë të mirë nga partia.

Kështu do të kurseheshim nga shkrimet e shumta të çdo matrapazi që do me na shitë moral dhe do të kishim më pak kritika dhe më konstruktive.

Në këtë kontekst, po ju tregoj që unë në këtë vit kam për ta regjistruar vajzën në parashkollor. Po ju tregoj sinqerisht që, para se të shkoja te shkolla, kam pyet një shok nëse ka dikë të njohur për ta regjistruar vajzën diku ku është më mirë.

Kështu funksionon këtu dhe krejt ne e pranojmë dhe e stimulojmë këtë mënyrë, që për mua është mënyrë e menaxhimit të resurseve nga ata e mënyrë e mbijetesës profesionale për shumë nga ne – asgjë tjetër më shumë.

Për ta arritur këtë mundësi luftoni krejt ju militantët e partive të tjera që sot e kritikoni Adem Grabovcin – jo për të na bindur për të mos e votuar më këtë parti.

Me më qitë para litarit se nuk zhbindem që edhe LDK, Vetëvendosje, AAK e të tjera veprojnë po në këtë mënyrë. Kështu funksionojnë edhe tani kur po e shkruaj këtë tekst, nëpër komuna. Është normale që partia t’i përkrah njerëzit e vet. Pse a mos m’i ngriti Vetëvendosja njerëzit e LDK-së që i gjeti në komuna? Lërini këto pallavra!

Prandaj, të hedhësh gur e dru mbi Adem Grabovcin, thua se është i vetmi në këtë vend që funksionon në këtë mënyrë është moralizim – sidomos nga militantët e partive të tjera.

Janë të paktë ata që e kanë pastër mbrapa shpinës së tyre që mund ta kritikojnë Adem Grabovcin.

Këtu duhet të ngrihet niveli i përgjegjësisë për shtetin, të ndërrohet qasja ndaj shtetit, të ndërrojë mentaliteti i shoqërisë tonë, jo të ndërrohet Adem Grabovci, apo të zëvendësohet me një Adem nga një parti tjetër, se me këtë nuk ndërrojmë asgjë. Veç do të vijë një Adem tjetër.

Ademin vazhdoni kritikojeni ju të cilët në të gjitha këto pika jeni të pastër – unë nuk mundem. Faleminderit!

Leave a Reply