Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo - Click-Channel.tv

February 22, 2017

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

Hasan-Prishtina

Hasan-Prishtina

Shkruan: Arben Llalla

Mbiemri i pretenduar deri më sot për vrasësin e Hasan Prishtinës, Celo apo Çelo nuk e ndeshim në asnjë familje shqiptare të Maqedonisë së sotme.

Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku në qytetin e Selanikun u vra ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina, një figurë e shquar kombëtare.

Pas kaq vitesh mbetet ende e pa zbardhur mirë porositësit real të kësaj vrasje, por edhe identiteti i vërtetë i vrasësit i cili njihet si Ibrahim Çelo ose Celo, nga Resnja e Maqedonisë.

Pas shumë kërkimesh erdha në përfundimin se vrasësi nuk quhej Ibrahim Çelo ose Celo por Ibraim Sela ose Selo. (Në serbisht shkruhet Celo që në shqip është Selo, por në të vërtetë duhet të jetë Sela në gjuhën shqipe sepse ne i themi Kosova, sllavët Kosovo, Tetova-Tetovo, Kumanova-Kumanovo, etj.

Pra mendoj se është Sela në shqiptimin shqip). Gjatë kërkimeve të mia mësova se në Resnjë nuk ka patur asnjë familje me mbiemrin Çelo ose Celo, por Sela të cilët janë shpërngulur me turp pas viteve 1935.

Mbiemri i pretenduar deri më sot për vrasësin e Hasan Prishtinës, Celo apo Çelo nuk e ndeshim në asnjë familje shqiptare të Maqedonisë së sotme. Interesantë është fakti se për vrasësin Ibrahim Selën janë kujdesur ndër vite strukturat sllave që të fshehin pasardhësit e tij të cilët nuk ka shumë të dhëna të mjaftueshme për familjen e tij nga Resnja e Maqedonisë së sotme.

Me këtë rast lindin shumë pikëpyetje që presin përgjigje si: Mbreti Zog i akuzuar për këtë vrasje, nëse vërtet donte të vriste me këmbëngule Hasan Prishtinën përse duhet të paguante një vrasës nga Resnja që i përkiste Serbisë, dhe jo nga Shqipërisë kur ai ishte mbret i saj?

Përse deri vonë nuk kishim një fotografi të vrasësit, por kjo gjë u bë e mundur pasi unë gjeta gazetën greke në vitin 2000? Përse deri në vitin 1960 Shqipëria zyrtarisht e quante tradhtar Hasan Prishtinën?

Përse ende sot figura e Hasan Prishtinës nuk vlerësohet lart nga shteti shqiptar si ish-kryeministër, ministër dhe deputet i saj? Përse Shqipëria nuk kërkon pasurinë e Hasan Prishtinës si shtetas i saj që ndodhet në Selanik?

Çfarë u bë me Ibraim Selon apo Sela? Unë dyshoj se Ibraim Selo apo Sela është liruar nga burgu në vitin 1941, por ende nuk mund ta faktojmë me dokumente zyrtare. E sigurt është se në Prill-Maj 1941 në Greqi u liruan të gjithë të burgosurit, pasi autoritetet greke hapën burgjet kur ushtria e saj u dorëzua paqësisht tek gjermanët.

Besoj që Serbia ka qenë më e interesuar për ta vrarë Hasan Prishtinën se sa Ahmet Zogu i cili gjeti kurajën dhe u pajtua me kundërshtarët e tij të përbetuar si Konicën dhe Fan Nolin të cilin edhe e ka ndihmuar financiarisht kur i ka kërkuar ndihmë ekonomike.

Mendoj se Serbia është porositja e vërtetë për vrasjen e Hasan Prishtinës sepse ajo godiste me këtë akt edhe Ahmet Zogun i cili i kishte kthyer shpinin asaj dhe po lidhej me Italinë në fillim të viteve 1930. Megjithatë këto mbeten paragjykime për tu vërtetuar sepse nuk janë hapur të gjitha arkivat sekrete për këtë figurë të shquar dhe për shumë personalitete të tjera shqiptare.

Gazeta greke

Gazeta greke që botohej në Selanik “Maqedonia e Re” e datës 14 gusht 1933, ku shkruhet se Hasan Bej Prishtina u vra rreth orës 14.00 më 13 gusht 1933 nga Ibrahim Selo. Në foto vrasësi Ibrahim Selo dhe Hasan Prishtina në morgun e Selanikut.

Gabimi i historianëve

Lajmin për vrasjen e Hasan Prishtinës gazetat shqiptare të asaj kohe ju referuan medieve serbe, dhe jo greke apo burimeve njerëzore shqiptare që jetonin dhe punonin në Selanik. Duke ju referuar gazetave serbe ne nuk kishim deri vonë datën e saktë kur u vra Hasan Prishtina.

Disa historian dhe studiues shqiptar shkruajnë se vrasja është kryer më 14, 15 dhe 16 Gusht, ku në të vërtet vrasja u krye më 13 Gusht 1933 sipas gazetës greke të Selanikut “Maqedonia e Re-Μακεδονικα Νεα” e cila përshkruan me hollësi se si u krye vrasja, emrin e vrasësit Ibraim Selo dhe pronën e Prishtinës i cili është ende pronar i godinës në fjalë që na e thotë kjo gazetë.

Të gjithë historianët shqiptar që janë marrë me ngjarjen e vrasjes së ish-kryeministrit Hasan Bej Prishtinës kanë gabuar në mbiemrin e vrasësit Ibrahim Çelo, (në të vërtetë duhet ta ketë patur Sela) ata kanë shfrytëzuar burimet sllave, pra nuk kanë bërë kërkime në arkivat greke, ku duhet të ndodhet certifikata e vdekjes së Hasan Prishtinës, dokumentin e arrestimit dhe i gjyqit të vrasësit Ibraim Sela.

Këtë gabim e bëra edhe unë duke u bazuar tek burimet e studiuesve para meje edhe pse kisha dyshime se mbiemri ishte SELA dhe jo Çelo në bazë të gazetës së asaj kohe “Maqedonia e Re” e datës 14-8-1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtin. Në këtë gazetë shkruhet qartë se vrasësi është Ibraim Sela- Ιμπραιμ ΣΕΛΙΟ-Ibraim SELIO.

Pra, mendim im tani për tani është se Hasan Bej Prishtinën e vrau Ibraim Sela nga Resnja i paguar nga Serbia, por historianët e tjerë le të bëjnë kërkime më të thella dhe mos të kopjojnë copy-paste sepse mund të gabojnë përsëri ashtu siç kanë gabuar kur e bëjnë një veprim të tillë pa treguar burimin nga e kanë marrë informacionit.

Historisë së vërtetë nuk i vendoset kollaj pika e fundit sepse ajo është një tunel i pafund, ku herë ka dritë për të shikuar të shkuarën e herë errësirë.

Qartë shkruhet Ibraim Selo dhe jo Çelo apo Celo

Qartë shkruhet Ibraim Selo dhe jo Çelo apo Celo

Përpjekjet për vlerësimin e figurës së Hasan Prishtinës

Trashëgimtarët e familjes së Hasan Prishtinës, si altruizti Mehmet Prishtina prej disa vitesh bëjnë përpjekje për vlerësimin lartë të figurës së tij. Mehmet Prishtina me këmbëngule dhe financimet e tij personale ka bërë të mundur që busti i Hasan Prishtinës të vendoset në Shkup, Tiranë dhe në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Por këto nuk mjaftojnë për të vlerësuar lartë figurën e atdhetarit, politikanit, bamirësit, ish-kryeministrit Hasan Prishtinës.

Në vitin 2014, Mehmet Prishtina i ka dërguar letër zyrtare kryetarit të Republikës së Shqipërisë z.Nishani, kryeministrit z.Rama, kryetarit të Kuvendit z.Meta për rivarrosjen me nder të Hasan Prishtinës në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, ashtu siç janë rivarrosur me nderime edhe shumë figura të shquara si Faik Konica, vëllezërit Frashëri, etj. Por kjo kërkesë e familjes Prishtina ka rënë në vesh të shurdhër.

Është për të ardhur keq që në këto varrezat prehen eshtrat e disa njerëzve që kanë rënë për kontributin ideologjik partiak komunisti, ndërsa burri i kombit Hasan Prishtina prehet ende në një qoshe në periferi të qytetit të Kukësit

Para disa kohësh altruizti Mehmet Prishtina hodhi idenë që në Prishtinë të vendoset busti i Ismail Qemal Vlonës, ndërsa në Vlorë busti i Hasan Prishtinës duke treguar se nga Prishtina e në Vlorë ne jemi një komb.

Kjo ide dhe kërkesë e z.Prishtina gjeti mbështetjen dhe në vitin 2015 në Prishtinë u vendos busti i Ismail Qemal Vlorës, ndërsa busti i Hasan Prishtinës ende nuk është vendosur në Vlorë edhe pse është miratuar nga bashkia e Vlorën, por diku ndeshen pengesa nga burokracia administrative.

Do të ishte nder i institucioneve të shtetit shqiptar që në 28 Nëntor 2016, eshtrat e Hasan Prishtinës me një ceremoni shtetërore të vendosen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe busti në Vlorë.

Kjo do të ishte më e pakta që mund të bëj Shqipëria shtet për burrin e madh Hasan Prishtinën që sakrifikojë pasurinë e tij për pavarësinë e Shqipërisë, financojë me dhjetëra bursa që shqiptarët të studiojnë në shkolla, i cili pranojë më mirë malet shqiptare se sa kolltukun e butë të ministrit të Turqisë.

Pinjolli i familjes Prishtina, altruizti Mehmet Prishtina

Pinjolli i familjes Prishtina, altruizti Mehmet Prishtina

Vendimi për vendosjen e bustit të Hasan Prishtinës në Vlorë

endimi për vendosjen e bustit të Hasan Prishtinës në Vlorë

Busti i Hasan Prishtinës që pret prej disa vitesh që të vendoset në Vlorë

Busti i Hasan Prishtinës që pret prej disa vitesh që të vendoset në Vlorë

About The Author

Related posts

Leave a Reply