Cilat janë gjashtë objektivat e fshehta të Serbisë? - Click-Channel.tv

February 22, 2017

Cilat janë gjashtë objektivat e fshehta të Serbisë?

milazim

milazim

Autor: Milazim Krasniqi

Analiza krejtësisht sipërfaqësore e këtyre objektivave serbe, zbulon se ato janë projeksione reale, që edhe mund të realizohen, nëse gjërat në Kosovë shkojnë keq.

Pak para se të fillonin trazirat e opozitës në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna egërshane e segmente subversive e terroriste ndaj institucioneve, zyrtarëve të shtetit dhe pronës private, një miku im nga një vend mik, më pati dërguar, me anën e imejlit, një informacion të vlefshëm. Në të ishin gjashtë pikat në të cilat do të ishte e fokusuar politika e re e Serbisë në drejtim të Kosovës. Ato pika atij ia kishte ofruar një kolegu i tij, që kishte marrë pjesë në një tryezë të një institucioni shumë prestigjioz shkencor në Beograd e ku ato ishin shpalosur, ndërsa ai i kishte mbajtur shënim. Edhe pse e mora të mirëqenë informacionin dhe e mbajta në vëmendje, nuk bëra ndonjë analizë për të, siç bëj zakonisht me informata ose projekte që lancohen nga Serbia në drejtim të Kosovës e të shqiptarëve. Pse?

Të rrahësh ujë në havan

Ka kohë që jam bindur që ata që ne quajmë elitë politike, shumica absolute e tyre, nuk i lexojnë ose nuk i kuptojnë tekstet analitike. Poashtu e kam formuar një bindje se edhe shumica e atyre që ne quajmë lexues, këto lloj tekstesh analitike nuk i kuptojnë, prandaj as nuk i bien tekstit deri në fund. Bile, pas shurdhërisë që e përcolli librin tim me komente e analiza “Ankthi i vjetër në shekullin e ri (Presionet e Serbise ndaj Kosovës pas vitit 1999)” definitivisht jam bindur se propaganda serbe dhe proserbe ka rifituar fuqi të madhe në Kosovë, madje ka arritur të shtyp me sukses pothuajse të gjithë zërat antiserb në elitën tonë intelektuale.

Poashtu nuk mbeti jashtë vëmendjes sime edhe një valë terrori psikologjik që u drejtua ndaj meje para katër muajsh, pasi botova dy tekste komentuese, lidhur me politikën e re të Rusisë e të Serbisë në drejtim të Kosovës. Komenti i parë trajtonte politikat e reja të Rusisë ndaj Serbisë e Ballkanit, pas vizitës së Vuqiqit në Moskë, ndërsa i dyti përpiqej të skiconte pasojat e rehabilitimit të terroristit famëkeq serb, Dragutin Dimitrijeviqit-Apisit, si rikthim i politikës serbe tek përdorimi i terrorizmit për qëllime pushtetore dhe politike.

Pas atyre dy teksteve alarmuese, të cilat i botova në gazetën “Epoka e re”, në fillim të nëntorit 2015, (prej nga u bartën edhe në disa portale) filloi një fushatë e habitshme terrori psikologjik ndaj meje, me sms në telefon, po edhe në fb, ndonëse ishte e maskuar paq. Maskimi i kësaj vale të re terrori psikologjik ndaj meje bëhej pas një postimit tim të para dy vitesh në fb, por të botuar nga një portal me titull të deformuar e tendencioz, të cilin një hoxhë kundërthënës, me një vonesë prej dy vitesh, e kishte postuar në profilin e vet, gjoja se i paskësh pëlqyer. Postimi i tij pastaj u shfrytëzua si pretekst për të më bërë objekt qitjeje para tytave të një grupimi fanatikësh të çartur islamofobësh. Asnjëherë përpara, ndonëse kam qenë shpesh i përfshirë në polemika të ashpra me lloj lloj grupesh të hakërruara, nuk kam marrë më shumë kërcënime serioze për jetën dhe sigurinë e familjes, se sa me këtë rast. Ishte një kërcënim që mund ta ndieja pak a shumë siç e ndiejmë valën e ajrit, kur përshkohet nga ndonjë trup i huaj që fluturon pranë nesh. Atëherë vendosa ta hulumtoja pak më seriozisht shkakun e shpërthimit të asaj urrejtjeje e atij terrori psikologjik, që ishte në shpërpjestim me përmbajtjen e postimit të para dy viteve, të cilit ajo arrejtje i adresohej.

Pas një hulumtimi disajavor të përmbajtjeve të disa portaleve mejnstrim se çfarë përmbajtjesh ofronin për Rusinë, (me theks te portali që kish botuar edhe postimin tim me titull të deformuar), konstatova i tmerruar se pikërisht ai portal kishte mbi 80% të teksteve për Rusinë e Putinin me parashenjë pozitive! Në shumicën e teksteve për Rusinë e për Putinin, që kishte publikuar ai portal, Rusia ishte referuar si alternativë fitimtare ndaj SHBA-ve dhe ndaj NATO-s! Putini ishte paraqitur si lider i fortë që nuk ia varte Obamës e aq më pak Merkelit. Pas këtij mikrohulumtimi thjesht profesional, filluan të më lidhen edhe më fort fijet që kanë të bëjnë me objektivat e reja serbe kundër Kosovës, sepse në to roli i Rusisë shihet si shumë i rëndësishëm. Prandaj, edhe iu ktheva kësaj çështje për një prezentim të shkurtër të saaj,, në mënyrë që qoftë dhe vetëm një lexues që arrin t’i bie deri në fund të këtij teksti, me përqendrimin e nevojshëm, ta ketë të qartë se çka planifikon Serbia në drejtim të Kosovës. Megjithatë, kam frikë se prapë vazhdoj të rrahë ujë në havan, por edhe kjo është zgjedhje imja e lirë.

Çka parashohin objektivat e reja?

Objektivi i parë serb është proklamuar të jetë forcimi i ndikimit të Serbisë, me anën e instrumenteve destabilizuese në Kosovë. Destabilizimi synon të përfshijë, krahas veriut që është në jostabilitet permanent, edhe destabilizmin e institucioneve të vendit dhe nxitjen e konflikteve shumëplanëshe brenda shoqërisë së Kosovës. Pra, mbajtja e Kosovës në destabilizim permanent, duke i bërë presion me veriun e rebeluar dhe duke i destabilizuar edhe institucionet shtetërore të Kosovës dhe shoqërinë në tërësi, është objektivi kryesor strategjik i Serbisë.

Pse insiston Serbia kaq fort në mbajtjen e jostabilitetit permanent në Kosovë? Sepse sipas teorive të reja e të aplikueshme të ndërtimit të shtetit, shtetet e pastabilizuara, veçmas shtetet e dështuara, janë objekt legjitim i ndërhyrjes nga jashtë. Shtetet e dështuara, paraqesin rrezik për stabilitetin rajonal e ndërkombëtar, sepse në atë rast mund të shndërrohen në strehë të agjentëve joqeveritarë siç janë organizatat terroriste. Rrjedhimisht shansa e vetme e Serbisë 1) për ndërhyrje më të madhe në punët e Kosovës, 2) për aneksimin e veriut (me versionet e Abhazisë, Osetisë, apo edhe të Krimesë) ose 3) për ripushtimin e plotë të saj, mund të rriten vetëm në rast të dështimit të plotë të këtij shteti, e kurrsesi në rast se Kosova bëhet një shtet stabil dhe i suksesshëm.

Mbetja e veriut të Kosovës jashtë pushtetit faktik të UNMIK-ut që nga vitit 1999 e deri në pavarësimin e vendit (2008) i ka mundësuar Serbisë të krijojë instrumenta të fortë destabilizues në territorin e Kosovës . Kur e ka rrumbullakësuar procesin e krijimit të entitetit serb në veri, (me djegien e pikave doganore pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës) e ka pranuar procesin e Brukselit, për ta implementuar atë që ka fituar në terren. Prandaj, procesin e Brukselit Serbia e ka shfrytëzuar për legalizimin e ndikimit të vet brenda Kosovës dhe më tutje për ta shfrytëzuar atë kartë për destabilizimin e institucioneve shtetërore të Kosovës (afera Jabllanoviq, bllokimi i Kuvendit nga opozita, etj) Në bazë të këtyre kombinimeve Serbia, (e ndihmuar nga Bashkimi Evropian, për faktin që BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet) tashmë e ka kartën e provokimit të jostabilitetit në dorë, si me bashkësinë e komunave me shumicë serbe, si pa të.

Me atë bashkësi, kur të formohet, e ka kartën e destabilizimit me anën e opoziëts shqiptare destruktive, ndërsa pa atë bashkësi, e ka kartën që ta destabilizojë Kosovën vetë, si hakmarrje për prishjen e marrëveshjes së Brukselit. Pra, destabilizmi permanent i Kosovës është konstruktuar dhe kalkuluar për një afat më të gjatë, deri në momentin kur Serbia konsideron se ai destabilizim paraqet momentumin për ndonjë formë të re të kthimit të saj në Kosovën e dështuar, gjoja për të ndihmuar “stabilizimin” e saj.
Pika e dytë e objektivave serbe ka të bëjë me krijimin e instrumenteve të përshatshme psikologjike, sociale e ekonomike për rritjen e natalitetit të serbëve në Kosovë. Natyrisht, kjo është një politikë e vjetër serbe, por fakti që nuk hiqet dorë prej saj, zbulon qëndrueshmërinë e politikës serbe në synimet e saj në drejtim të Kosovës. E lidhur me pikën e katërt të këtyre objektivave, që insisiton në nxitjen e shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga Kosova drejt Evropës, kjo masë bëhet edhe më serioze, siç plotësohet edhe nga objektivi tjetër, i treti në radhitje, që ka për synim serbizimin e goranëve dhe mundësisht kthimin e boshnjakëve të Kosovës, në orbitën serbe të ndikimit politik e kulturor. Pika e pestë e këtyre objektivave, bashkohet me të parën, duke pasur në plan forcimin e ndikimit të Rusisë në Balkan e edhe në Kosovë, por këtu duke e kombinuar me rritjen e ndjenjave antiamerikane në mesin e shqiptarëve. Ndërsa, pika e gjashtë e këtyre objektive synon që të ritkhejë në jetë idenë e mëparshme të Milloshevqit, për një aleancë serbo-greke, të cilën ai e pati quajtur “oksigjen për ortodoksinë”. Synimi i një aleance të tillë, e cila do të ndihmohej nga Rusia e rifuqizuar, do të ishte mbajtja e shqiptarëve nën presion, në një lloj senduiqi të hekurt, nga Greqia prej jugut e nga Serbia prej veriut. E me Rusinë mbi kokë.

A është ky plan i realizueshëm?

Analiza krejtësisht sipërfaqësore e këtyre objektivave serbe, zbulon se ato janë projeksione reale, që edhe mund të realizohen, nëse gjërat në Kosovë shkojnë keq. Destabilizmi i institucioeneve tashmë ka prodhuar pasoja konkrete në shoqërinë tonë, po edhe dëm të konsiderueshem për imazhin e Kosovës si shtet i qëndruesëhm. Me këtë dëshpërim që ka pllakosur shoqërinë nga jostabiliteti, i cili po e pengon edhe zhvillimin ekonomik e edhe integrimin e vendit në BE, shpërngulja masive e shqiptarëve nga Kosova është reale. Ajo mund të shkojë deri në përgjysmimin e popullsisë shqiptare në Kosovë, me çka do të krjohej raport tjetër demografik, natyrisht në favor të serbëve ! Ndërsa, rritja e ndikimit të Rusisë me frymën e saj destabilizuese, poashtu është evidente. Kjo frymë destabilizuese është shoqëruar edhe me shpërthimin e një vale antiamerikanizmi, me stimulim edhe të një partie politike paralamentare shqiptare. Pikat e tjera të këtij plani duken qartësisht të integruara dhe me funksione konkrete për rritjen e ndikimit, të prezencës po edhe të rikthimit si tutor të Serbisë në Kosovë, në rast se Kosova rrëshqet drejt dështimit si shtet. Në rast të dështimit të Kosovës si shtet, veçmas nëse rrezikon të bëhet edhe truall i ekstremizmit dhe terrorizmit, kujdestarinë mbi të pashmangshëm do ta merrte Serbia. Prandaj të gjithë ata që për çfarëdo arsyesh të proklamuara, shkaktojnë destabilizimin e institucioneve të shtetit dhe e deprimojnë shoqërinë shqiptare në Kosovë, çojnë ujë në mullirin e këtyre objektivave serbe,të cilat ndonëse nuk janë bërë publike, janë duke u zbatuar konkretisht.

About The Author

Related posts

Leave a Reply