Drenicarët ditkan edhe për të udhëhequr - Click-Channel.tv

March 30, 2017

Drenicarët ditkan edhe për të udhëhequr

Kastriot Rrecaj

Kastriot Rrecaj

Autori: Kastriot Rrecaj

#MEPRESIDENTIN
A nuk qe Milosh Kopiliqi ai që ia nguli mu në zemër hanxharën Muratit I, i cili, më 1389, me hordhitë e përtej Dardaneleve na e përdhosi virgjinitetin e trojeve tona stërgjyshore?!

A nuk qenë drenicarët ata që ia dhanë flakën Sarajit turk më 1891 dhe Kahriman beun e bën të flasë me vete?!

Po Ahmet Delia, që me sëpatë i la pa kokë e pa mend cerberët e përtej Tunës më 1912?!

A nuk qe Hasan Prishtina, Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, atdhetari e mendimtari që e përgatiti shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe, paskëtaj, nga smira e xhelozia, nuk e pranuan kryeministër më shumë së katër ditë?!

Po Azem e Shotë Galica, të cilët për 12 vjet rresht u qëndruan përballë tri perandorive më të mëdha të kohës dhe, atëbotë, më 1923, arritën ta formojnë bërthamën e parë shtetërore me emrin “Arbëria e Vogël”?!

E, në fund të Luftës së Dytë Botërore, a ishin Shaban Palluzha e Mehmet Gradica ata që ua thyen turinjtë brigadave serbo-partizano- çetnike”?!

A nuk qe Tahir Meha ai që më 1981 theu mitin e krijuar serb se policia serbosllave është e paprekshme?!

Po Adem Jashari, që ktheu dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve dhe ndërroi rrjedhën e gjithë globit?!

Dhe, fare në fund, a nuk qe Hashim Thaçi ai që priu në Rambuje e në proceset më të rendësishme shtetformuese dhe ia grisi vellon e nusërisë Pavarësisë së Kosovës?!

Vargoi me dëshmi historike për zemrën e shqiptarisë, Drenicën, po qe nevoja, mund të zgjatet deri në pafundësi…

Por, ç’e do, të shkretën, kur tharmi ynë qenkësh zënë në kapërcyell të kontraverzitetit absurd!

Në fronte e në beteja, Drenica e drenicarët, gjithmonë të parët!!!

Në paqe e në liri, Drenica e drenicarët, gjithmonë të fundit!!!

Një paradoks apokaliptik.

Megjithatë, kësaj here, Fatthënat vepruan drejt e vendosen ndryshe.

Dhe, u doli fort mirë e mbarë.

Drenica dhe drenicarët ditkan edhe për të udhëhequr. Po, ore po. Ata nuk qenkeshin vetëm për luftë. Koha i vërtetoi besnikërisht të gjitha. Por, smirëzinjtë e babëzitur për pushtet e para, nuk po e honepseshin dot këtë marifet të mrekullueshëm. Shikuar hollë e hollë, nuk kishin edhe aq faj mjeranët. Jo, jo, nostalgjikët e mynxyrave të shkuara nuk mund të pajtoheshin dot me realitetin. Ata, të keqen vëllai, denbabaden ishin mësuar t’i shihnin ndryshe sivëllezërit drenicarë: të përgjakur, të përbaltur, të leckosur, të pashkolluar, të izoluar, të anatemuar…

Sakaq, zëra të çjerrë, që deri dje thërrisnin me të madhe: Drenicë, jemi me ty!, sot zunë të çirreshin: Drenicë, s’jemi me ty!

Hajde botë, hajde!!!

O tempora, o mores!- do të thoshin latinët e vjetër.

Mirëpo, sovrani POPULL është i pagabueshëm.

Fjala e popullit- fjala e Zotit Ai e dha VERDIKTIN e vet të plotfuqishëm e të paluajtshëm. Fitorja u takoj të merituarëve, ndërsa ndëshkimi fjalamanëve, të cilët mund të vazhdojnë edhe më me të shara e me të palara…

About The Author

Related posts

Leave a Reply