Serbia s’mund ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

unesco2Serbia do ta ketë të vështirë ta ndalojë anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së për arsim, shkencë dhe kulturë UNESCO, pasi që forma e votimin është e pafavorshme për Beogradin, shkruan e përditshmja serbe Danas.

Pas deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçit se Kosova ka bërë kërkesë për anëtarësim në UNESCO, në Beograd ka filluar të mendohet nëse një gjë e tillë do të mund të parandalohej.

Megjithatë, siç thonë burime të Danas brenda qeverisë serbe, kjo betejë do të jetë e vështire dhe pasigurtë. Sipas këtyre burimeve, Serbia do të bëjë çmos, por mënyra e votimit është e pafavorshme, pasi kërkohet vetëm shumica.

“Ashtu siç na është thënë, së pari voton Këshilli Ekzekutiv, ku shumica e shteteve janë që e kanë njohur Kosovën, ndërsa më pas do të mund të kërkohet një mendim ligjor dhe të vendosë Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s”, shkruan Danas, transmeton lajmi.net.

Sipas bashkëbiseduesve të Danas “ky është edhe një rast që Prishtina po sillet dekonstruktive, pasi për këtë nuk është diskutuar në dialogun e Brukselit”.

“Do të jetë një betejë e vështirë, pasi Serbia ka argumente, por nuk i ka mekanizmat që ato t’i pengojë, ashtu siç mund ta bëjë bë OSBE apo OKB”, ka thënë ky burim, transmeton lajmi.net.

Lajmin për aplikimin e Kosovës në UNESCO e dha të enjten zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se kjo vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacionet e UNESCO-s.
Këto deklarata Thaçi i ka shkruar në Facebook:

Sapo aplikuam për anëtarësi në UNESCO, agjencionin e OKB për arsim, shkencë dhe kulturë. Ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s që kemi zhvilluar vetëm këtë vit. Është ky një hap që fuqimisht zgjëron interaksionin tonë global. Presim që në nëntor të hyjmë në këtë organizatë shumë të rëndësishme.

Leave a Reply