Mustafa: Me Serbinë nuk mund të bisedojmë për pronat e Kosovës

00AAECB5-B05F-4B87-AFC1-33BA72D504CD_cx0_cy22_cw78_mw1024_s_n_r1Në një intervistë për “DW” Mustafa ka thënë se për Kosovën është shumë me rendësi që të ketë kontakte sa me të ngushta me Gjermaninë.

Kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar tepër të rëndësishme takimin e tij në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Në një intervistë për “DW” Mustafa ka thënë se për Kosovën është shumë me rendësi që të ketë kontakte sa me të ngushta me Gjermaninë. “Për mua ka qenë kjo një vizitë tepër e rëndësishme, sepse fjala është për një vend të fuqishëm evropian, i cili jo vetëm që ka ndikim në politikat evropiane por edhe në ecuritë ekonomike dhe politike mbarëbotërore. Një vend i cili ka investuar shumë në Kosovë – përmes investimeve të drejtpërdrejta ekonomike dhe asistencës në shumë fusha të ndërtimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës. Gjermania ka ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës ekonomike dhe ligjore të Kosovës. Gjermania është një vend i cili na ka mbështetur shumë në procesin e dialogut me Serbinë, duke vënë kritere të caktuara dhe duke kërkuar implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Për ne është me rëndësi që të kemi kontakte sa më të ngushta të mundshme me Gjermaninë, sepse kjo ndihmon zhvillimin tonë demokratik dhe proceset evropiane. Por ndihmon edhe procesin për liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet e tjera kontraktuale që do të pasojnë më vonë me Bashkimin Evropian”, është shprehur ai.

Kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova është e interesuar që të tërheq investime nga Gjermania për të ndërtuar marrëdhënie të partneritetit strategjik. “Natyrisht që neve na intereson edhe përkrahja e Gjermanisë për anëtarësim në institucionet e ndryshme ndërkombëtare, siç është Interpoli – sepse ne jemi të interesuar të jemi pjesë e sigurisë, jo vetëm rajonale por edhe botërore”, është shprehur Mustafa.

Mustafa ka treguar se Merkel ua ka bërë me dije se duhet të forcohet shteti ligjor. “Ne kemi punuar mjaft shumë dhe jemi munduar t’i plotësojmë kushtet që janë paraqitur në procesin e liberalizimit të vizave. Në takimin me kancelaren u tha se duhet të punojmë edhe më shumë në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse Gjermania dhe vendet e tjera nuk janë të kënaqura me nivelin e luftimit të këtyre dukurive në Kosovë. Mendoj se këto kërkesa janë të arsyeshme, sepse është e vërtetë që ne duhet edhe më fuqishëm të luftojmë krimin në të gjitha fushat. Një kërkesë tjetër e Gjermanisë është që Kosova të amendamentojë Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë dhomën speciale për të trajtuar pretendimet për krime lufte. Mendoj se ne kemi marrë obligime konkrete ndërkombëtare dhe duhet t’i çojmë këto procese përpara”, ka deklaruar Mustafa.

Leave a Reply